INSTITUCIONET E PËRKOHSHME TE VETËQEVERISJES

PROVISIONAL INSTITUTIONS OF SELF-GOVERNMENT

PRIVREMENE INSTITUCIJE SAMOUPRAVLJANJA

 

  Deklarata e Kryeministrit Bajram Kosumi, Lutfi Haziri, Ministër i Pushtetit Lokal dhe Kryetarëve të Komunave për sundimin e ligjit dhe kthimin e pronave

Prishtinë, 6 korrik 2005

Qytetarë të nderuar,

Kosova ka hyrë në fazën më të rëndësishme të krijimit të shoqërisë demokratike dhe ligjore. Qytetarët e Kosovës kanë obligim qytetar dhe moral që të kuptojnë rëndësinë e proceseve nëpër të cilat po kalojmë si vend dhe si shoqëri dhe që të ndihmojnë institucionet qendrore dhe lokale për zbatimin e standardeve demokratike në shoqërinë e Kosovës.

Kosova po ndërton infrastrukturë ligjore demokratike. Ky legjislacion garanton mbrojtje efikase të lirive dhe të drejtave të njeriut, ato individuale dhe kolektive. Dita-ditës ne po ndërtojmë shoqërinë demokratike në të cilën, sundimi i ligjit do të vlejë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

E drejta pronësore në vendin tonë, si në çdo shoqëri demokratike, është e shenjtë. Prona i takon vetëm pronarit. I ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të respektojnë ligjin dhe të drejtën pronësore dhe menjëherë të fillojnë kthimin e pronave të uzurpuara. Rezultatet konkrete në këtë drejtim do të jenë treguesi më i rëndësishëm që vërteton se në Kosovë ka ligj dhe se qytetarët e saj e respektojnë atë. Veprimi i institucioneve për lirimin e pronave të uzurpuara është në të mirë të Kosovës dhe të sundimit të ligjit.

Personat e zhvendosur, pavarësisht nga përkatësia etnike, ftohen që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre dhe të jenë pjesë e ndërtimit të ardhmënisë së Kosovës. Kultivimi i ndjenjës së tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit për njëri-tjetrin është shumë me rëndësi.

Është në të mirë të qytetarëve që të shohin interesin e tyre jetësor në Kosovë, ku do t'i realizojnë të drejtat e tyre nëpërmjet institucioneve demokratike të Kosovës.

© 2004 International Aid Network (IAN)